Bajerni i Mynihut ka bërë të qartë se futbollistët gjermanë të kësaj skuadre janë të paprekshëm, duke refuzuar çdo ofertë që i ka ardhur deri tani nga klubet më të famshme të kontinentit për tre lojtarët Toni Kros, Holger Badshtuber dhe Filip Lahm.
Portali Goal.com ka bërë të ditur se gjatë javëve të fundit ka patur një interesim të vazhdueshëm të Barcelonës për mbrojtësin e majtë Filip Lahm, pas problemeve të vazhdueshme shëndetësore të Erik Abidal i cili vështirë se do të kthehet më në fushën e lojës pas transplantimit të mëlçisë. Por refuzimi i prerë i bavarezëve për të shitur kapitenin e skuadrës ka bërë që katalanasit të hedhin sytë nga mbrojtësi i Valencias, Zhordi Alba.
Ndërkohë, Badshtuber ishte një objektiv i Çelsit, që ka probleme të vazhdueshme me qendrën e prapavijës dhe kërkon të rinojë këtë repart. Edhe në këtë rast, Bajern i Mynihut ka refuzuar çdo ofertë që në fillimin e bisedimeve, duke qartësuar se lojtari është i pashitshëm.
Përsa i përket Toni Kros, ai ka qenë prej dy vitesh një objektiv i merkatos së Interit, por kthimi i tij në një lojtar formacioni te bavarezët ka bërë që drejtuesit e skuadrës të vendosin të mos e shesin atë.
Për më tepër, të tre futbollistët e lartpërmendur janë pjesë e përfaqësueses gjermane të futbollit dhe Bajern dëshiron që të vazhdojë të tregojë se është ekipi pa të cilin kombëtarja gjermane nuk do të kishte suksese kaq të mëdha. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 28 March 2012 14:43