Revista gjermane “Bild” ka publikuar lajmin bombë se Pep Guardiola ka filluar bisedimet me Bajern Mynih për t’u bërë trajneri i skuadrës bavareze në sezonin 2013-2014, pasi të përfundojë kontrata e trajnerit aktual Jup Heinkes.
Sipas “Bild”, drejtori sportiv i Bajern, Kristian Nerlinger, ka patur bisedime në maj me vëllain e Guardiolës, Pere, një prej këshilltarëve të teknikut spanjoll, gjatë finales së Kupës së Mbretit në Spanjë, të fituar nga katalanasit me rezultatin 3-0 përballë Atletik Bilbao. Sipas të njëjtit burim, trajneri katalanas ka konfirmuar interesimin e tij për të drejtuar bavarezët në të ardhmen.
41 vjeçari Guardiola arriti të fitonte 14 trofe në vetëm 4 sezone në drejtimin e ekipit katalanas dhe sipas “Bild”, përfundimi i kontratës së Heinkes në vitin 2013 është perfekt për të sjellë teknikun në Gjermani.
“Guardiola do të bëjë një vit pushim dhe do të ketë kohën e mjaftueshme për të mësuar gjermanisht dhe traditat gjermane”, shkruan “Bild”, që zakonisht ka lidhje shumë të ngushta me klubin bavarez dhe shpesh siguron lajme ekskluzive nga kjo skuadër. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 19 June 2012 11:40