Garet Beil është kthyer në objektivin e merkatos së Bajern Mynih, pas insistimit të trajnerit të ardhshëm të kësaj skuadre, Pep Guardiola. Ish-trajneri i Barcelonës është i bindur të nisë një luftë të ndezur me Real Madrid për të siguruar shërbimet e yllit të Totenhem, që vlerësohet mbi 45 milion euro.
Trajneri katalanas ka qenë prej kohësh një “tifoz” i uellsianit dhe e ka ndjekur me vëmendje që në periudhën kur drejtonte Barcelonën. Por gjatë vitit të pushimit të trajnerit, Beil ka rritur nivelin e tij, duke u kthyer në një nga lojtarët më të mirë në Evropë.
Totenhemi ka bërë të qartë se nuk dëshiron të shesë futbollistin, por gjithçka mund të ndryshojë nëse londinezët nuk sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. Beil ka thënë shpesh se tani dëshiron një klub ku mund të luajë në vazhdimësi në Ligën e Kampioneve dhe Bajern Mynih duket si skuadra ideale për ta bërë një gjë të tillë.
Nëpërmjet Beil, Guardiola mendon të fillojë procesin e rinovimit të “krahëve” në radhët e bavarezëve, duke vënë uellsianin në rolin e Riberi në të majtën e sulmit të Bajern Mynih. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 April 2013 09:07