Përgatitjet për fillimin e Lojërave Olimpike në Londër nuk kanë shkuar ashtu siç pritej që në ditën e parë të hapjes së Fshatit Olimpik. Pavarësisht reklamimit të mirë që u është bërë masave të marra nga organizatorët, dy histori të bërë publike sot nga një atlet amerikan dhe një grup australianësh, ka shtuar dozën e kritikave.
Vrapuesi amerikan i garës së 400 metra me pengesa, dy herë kampioni i botës, Kerron Klement, pretendon se ka kaluar 4 orë në autobus pasi shoferi humbi rrugën drejt Fshatit Olimpik duke i bërë një xhiro të “padëshiruar” nëpër qytet. “Kemi 4 orë që kemi humbur në rrugë. Nuk është një përshtypje e parë e mirë për Londrën”, shkroi ai në adresën e tij në Twitter. “Atletët janë të përgjumur, të uritur dhe duan të urinojnë. Ju lutem, a mund të na çoni në Fshatin Olimpik?”, ishte mesazhi i tij i dytë disa minuta më vonë.
Ekipi kombëtar amerikan i vrapuesve do të qëndrojë në Birmingem për tre javët e ardhshme, por vizita në Fshatin Olimpik ishte e detyrueshme në mënyrë që të merrnin akreditimet e tyre.
Ndërkohë, një autobus me 30 zyrtarë dhe doktorë të Australisë ka bërë xhiron e të gjithë qytetit, pasi shoferi i tyre harroi rrugën dhe pranoi se nuk dinte si të përdorte sistemin GPS të instaluar në autobus.
“Do të kishte qenë një xhiro fantastike turistik… nëse kjo do të ishte arsyeja e vërtetë për të cilën kemi ardhur këtu”, tregoi zyrtari australian, Demian Kelli. “Shoferi na pranoi se nuk e kishte bërë asnjëherë rrugën dhe nuk dinte si të përdorte GPS-në. Ne e ndezëm atë, por askush nuk kishte hedhur të dhënat e Fshatit Olimpik në sistem. Si përfundim, një nga doktorët hapi telefonin e tij iPhone dhe i dha udhëzimet shoferit duke parë hartën aty”. (LajmeShqip.com)
Monday, 16 July 2012 15:54