Qeveritë e Austrisë dhe Belgjikës kanë lajmëruar se do të bojkotojnë ndeshjet e Euro 2012 nëse nuk do të lirohet ish-kryeministrja ukrainase Julia Timoshçenko, e cila është e burgosur dhe vuan një dënim prej 7 vitesh pas hekurave për abuzim me detyrën.
Sipas kancelarit austriak Verner Faiman, ky veprim shërben për të dhënë një “sinjal politik”.
“Jemi të shqetësuar për situatën në Ukrainë dhe sidomos për kushtet në të cilat mbahet e burgosur Timoshçeko”, ka thënë ai në një komunikatë për shtyp. Për këtë arsye, qeveria austriake “do të mbështetë pozicionin e Gjermanisë”.
Lajmërimi për mungesën e përfaqësuesve të qeverisë belge në këtë aktivitet futbollistik kontinental ka ardhur nga Ministri i Jashtëm i këtij vendi, Didier Reinders, i cili iu bashkua vendimeve të deklaruara tashmë nga Gjermania, Republika Çeke dhe anëtarë të tjerë të Komisionit Evropian, mes të cilëve edhe presidenti Hose Manuel Durao Barroso. “Jam shumë i shqetësuar dhe nuk do të marr pjesë kurrsesi në turneun në Ukrainë”, ishin fjalët e tij.
Kancelaria gjermane, Angela Merkel, do të vendosë në momentin e fundit nëse do të ndjekë apo jo Euro 2012. “Janë vendime që i marr gjithmonë në momentin e fundit”, tha ajo në një intervistë për “Koelner Stadt Anzeiger”, ndërsa zëdhënësi i saj për shtyp konfirmoi se vendimi do të merret në bazë të zhvillimeve të çështjes Timoshçenko. (LajmeShqip.com)
Thursday, 03 May 2012 18:35