Zyrtarët e muzeut të ish-kampit të përqendrimit nazist në Aushvitc, kanë bërë të ditur se nuk do të lejohet hyrja e vizitorëve të cilët do të kenë me vete materiale sportive gjatë gjithë kohëzgjatjes së Euro 2012.
Të gjithë ato që duan të shohin ambientet e këtij kampi famëkeq gjatë turneut që zhvillohet muajin e ardhshëm në Poloni e Ukrainë, nuk lejohet të kenë me vete materiale tifozësh si flamuj, shalle, vuvuzela, tromba dhe pankarta. Te flamujt përfshihet edhe ai kombëtar i Izraelit, i cili mbahet shpesh nga vizitorët në nderim të viktimave dhe të mbijetuarve të Holokaustit.
“Ne e dimë që emocionet gjatë turneve sportivë janë shumë të larta dhe do të preferonim që emocione të tilla të mos ishin pjesë e vizitave në këtë vend përkujtimi”, dha zëdhënësi për shtyp i Aushvitc.
Ekipet kombëtare të Gjermanisë, Italisë, Anglisë dhe Holandës kanë konfirmuar se në planet e tyre është edhe një vizitë në ambientet e ish-kampit famëkeq ku kanë humbur jetën më shumë se 1 milionë njerëz.
Zyrtarët e Aushvitc refuzuan ta konfirmonin një gjë të tillë, por ata bënë të ditur se skuadrat ishin të mirëpritura për ta bërë një vizitë të tillë në mënyrë private, duke preferuar që ata të mos ishin të shoqëruar siç ndodh zakonisht me dhjetëra gazetarë, kameramanë e fotoreporterë. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 May 2012 16:17