Atletiko Madrid shpreson t’i japë fund interesimit të klubeve të mëdha evropiane për Radamel Falkaon, duke i ofruar kolumbianit një kontratë të re të përmirësuar. Presidenti i Çelsit, Roman Abramoviç, është gati të paguajë 60 milionë eurot e klauzolës së largimit të futbollistit në janar, por tashmë klubi madrilen beson se është në gjendje të bindë futbollistit duke ndryshuar dhe përmirësuar marrëveshjen ekzistuese.
Falkao aktualisht cilësohet si sulmuesi më i mirë në qarkullim në botë dhe shifra e 60 milionë eurove është relativisht e ulët po të shohësh shifrat që qarkullojnë gjatë çdo merkatoje klubet angleze apo së fundmi edhe PSZH. Si rrjedhojë, Atletiko Madrid mendon të ndryshojë marrëveshjen ekzistuese që përfundon në vitin 2016 duke i ofruar lojtarit një rritje të ndjeshme të rrogës, për ta çuar kontratën e tij deri në vitin 2017, ndërsa njëkohësisht do të rritin të paktën në 80 milionë euro klauzolën e largimit të tij.
Vetë futbollistit, dje ka deklaruar në një emision televiziv se aktualisht nuk shqetësohet për zërat që e shohin atë larg Atletiko Madrid. “Qëndrova në këtë klub në verë për arsye të ndryshme, drejtuesit më thanë që do të ishte e vështirë të më mbanin nëse nuk shkonim në Ligën e Kampioneve, por pastaj kanë bërë një sforco ekonomike të jashtëzakonshme për të më mbajtur. Nuk di se çfarë do të ndodhë nesër, por jam i lumtur në këtë klub. Në mendjen time për momentin nuk qarkullojnë ide largimi”, deklaroi lojtari kolumbian. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 October 2012 17:01