Sulmuesi i Atletiko Madrid, Radamel Falkao, shihet si blerja perfekte për Çelsin, për të zëvendësuar të larguarin Didier Drogba, por presidenti i skuadrës spanjolle, Enrike Cerezo, ka vendosur të flasë për të hedhur poshtë të gjitha spekulimet.
Ai ka bërë të qartë se nuk është në dijeni të interesimit të ndonjë skuadre për kolumbianin, si dhe për të kjo nuk është koha e duhur për të folur për një transferim.
“Falkao ka ende edhe 4 vite në kontratën e tij me ne. Është budallallëk të themi tani nëse do të rrijë apo do të largohet. Sinqerisht që nuk e di që Falkao do të largohet, unë thjesht di që ai ka firmosur një kontratë me ne dhe në atë kontratë thuhet se ai mund të qëndrojë me ne për 4 sezonet e ardhshme”.
Ai gjithashtu bëri të qartë se nuk di çfarë çmimi t’i vërë sulmuesit që ndihmoi skuadrën të fitonte Europa League me golat e tij në këtë sezon.
“Jam i sigurt se Falkao ka një vlerë shumë të lartë tashmë në tregun e futbollistëve, por meqënëse nuk duam ta shesim atë, nuk e dimë se sa është ky çmim. Ai ka një klauzolë largimi në kontratën e tij (150 milionë euro) dhe besoj se kjo është vlera e vërtetë e tij, por siç e thashë më parë, kanë mbetur edhe katër vite deri në momentin kur ai të mund të largohet”, tha Cerezo për lojtarin që shënoi 36 gola në sezonin e kaluar me fanellën e Atletiko Madrid. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 30 May 2012 10:01