Atletico Madrid kërkon të rikthehet në majën e futbollit spanjoll duke zgjedhur një rrugë disi të rrezikshme, revolucionin. Pas një sezoni të mbyllur në vendin e tretë, “Los Colchoneros” kërkojnë të mos jenë thjesht një meteor në qiellin e futbollit spanjoll, Diego Simeone planifikon që skuadra e tij të vazhdojë të bëjë rolin e violinës së tretë mes dy gjigandëve, Real Madrid dhe Barcelona. Që prej finales së Lisbonës së vitit 2014 ujerat kanë rrjedhur me shpejtësi sepse të pasurit e kontinentit e kanë kafshuar shpesh herë organikën e bardhekuqve, duke trazuar grupin e krijuar nga trajneri argjentinas. Në javët e fundit, Arda Turan, Miranda dhe Mandzukic i kanë dhënë lamtumirën grupit, por në krahun tjetër të Madridit nuk dorëzohen sepse shumë emra të rinj janë bashkuar me skuadrën. Diego Costa, Courtois dhe Villa janë një kujtim i largët për tifozët që pritën plot 18 vjet për të festuar në rrugët e kryeqytetit titullin.
I pari në listën e afrimeve me peshë është bomberi kolumbian Jackson Martinez, një investim i rëndësishëm tek i cili Simeone do të bazojë projektin e tij të ri. 34 gola në 42 ndeshje sezonin e shkuar janë garancia se pesha e repartit të avancuar nuk ka rënë, madje është rritur ndjeshëm në cilësi. Argjentinasi Vietto në krahun tjetër garanton freski, shpejtësi dhe teknikë në sulm. I shkurtër në staturë por me një kulturë të madhe futbollistike sepse ish sulmuesi i Villarreal ka gjithçka që i duhet “El Cholos”. Yannick Carrasco është basti më i rrezikshëm pasi ai ka detyrën e vështirë të zëvendësimit të Arda Turan. Mesfushori belg ka karakteristika të ndryshme nga turku por me afrimin e tij Simeone do të ndryshojë skemë duke i dhënë më shumë shpejtësi skuadrës në fazën e ndryshimit të aksionit.
Në mbrojtje, Savic zë vendin e Mirandas në krah të Gimenez dhe Godin që mbetet i paprekshëm, ndërsa Filipe Luis shpreson të rikthehet në nivelet më të larta pas eksperiencës së dështuar te Chelsea. Blerje që premtojnë shumë, të paktën në letër, tashmë elementët e rinj duhet të ingranohen sa më shpejt me gardën e vjetër nëse të tillë mund të quhen Griezmann që e mbylli sezonin me 25 gola apo Koke, i cili do të marrë në dorë frenat e mesfushës “Rojiblanco”. Atletico synon të shënjestrojë sërish titullin, Barcelona dhe Real Madrid nuk mund ta bëjnë më gabimin e nënvleftësimit sepse “Los Colchoneros” janë një realitet i futbollit spanjoll.
Thursday, 23 July 2015 14:12