Zenit Shën Petersburg ka arritur të sigurojë shërbimet e Andre Arshavin, duke e huazuar nga Arsenali deri në fundin e këtij sezoni. Lajmërimi u dha në faqen zyrtare të internetit të kampionëve në fuqi të Rusisë.
Edhe vetë kapiteni i kombëtares ruse ishte i lumtur me këtë marrëveshje.
“E premtja ishte një ditë e vështirë pasi asgjë nuk u vendos deri në minutën e fundit. Por unë shpresoj që nga tani e tutje, gjithçka të shkojë mirë. Unë dua të luaj dhe të bëj maksimumin për të ndihmuar Zenit të fitojë titullin kampion në Rusi”, tha 30 vjeçari pas firmosjes së marrëveshjes.
Arshavin nuk ka mundësi të luajë për Zenit në Ligën e Kampioneve meqë ka luajtur për Arsenalin në të njëjtin turne gjatë këtij sezoni.
Futbollisti, shpërtheu në radhët e Zenit duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të njohura evropiane, por ai zgjodhi të transferohej te Arsenali në janarin e vitit 2009, ndërsa “topçinjtë” paguan për të 15 milionë paund. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 February 2012 10:58