Arsen Venger duket vendosur që në këtë edicion të thyejë rekordin e transferimeve për klubin e Arsenalit, ndersa ka piketuar tre lojtarë që mund të ndihmonin skuadrën e tij të bënte hapin para që i nevojitet për t’u kthyer përsëri në kreun e kampionatit anglez.
Sipas mediave angleze, klubi po mendon të afrojë Gonzalo Higuain të Real Madrid, Ilkai Gyndogan të Borusia Dortmund dhe Lars Bender të Bajer Leverkusen, të tre futbollistë të rinj në moshë por me shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare.
Objektivi kryesor mbetet Higuain, një lojtar i cili sipas Venger do të garantojë golat që i mungojnë kësaj skuadre që nga momenti kur la të largohej një goleador të mirëfilltë si Tierri Henri. Çmimi i argjentinasit është 25 milion paund, ndërsa 20 milion puand mund të shpenzohen për të marrë Gyndogan nga Borusia Dortmund. Futbollisti që tashmë është bërë pjesë e kombëtares gjermane të futbollit, ka qenë ndër zbulimet më interesante të dy sezoneve të fundit në repartin e mesfushës. Edhe Lars Bender është një lojtar që do të ndihmonte mjaft mirë fazën ofensive të “topçinjve”, me Leverkusenin që do të ishte gati ta linte të largohej për 17 milion paund.
Cilido prej këtyre transferimeve të realizohet, ai do thyejë rekordin e 15 milion paund të vendosur në vitin 2009 me blerjen e Andrei Arshavin. (LajmeShqip.com)
Sunday, 09 June 2013 08:57