Arsenali ka zbuluar se ka rezerva financiare që kalojnë shumën e 120 milion paund në bankë, para që lehtësisht mund të investohen për blerjen e futbollistëve që në merkaton e ardhshme, me qëllim që t’i jepet fund periudhës së gjatë pa trofe të “topçinjve”.
Klubi bëri të ditur se ka arritur të ngrejë fitimet financiare edhe këtë vit falë shitjes së lojtarëve, edhe pse ka shpenzuar shuma relativisht të mëdha për të përmirësuar kontratat e disa lojtarëve ekzistues.
“Aftësia jonë për të konkurruar në majat më të larta këtu dhe në Evropë tregohet nga paraqitja jonë financiare e cila i jep forcë dhe pavarësi klubit”, shpjegoi administratori Peter Hill-Ud, i cili u detyrua të bënte një bilanc financiar pas spekulimeve se klubi nuk po investonte në merkato meqë kishte probleme ekonomike.
“Më lejoni të qartësoj se dëshira jonë është të mbajmë lojtarët më të mirë dhe të afrojmë talent të ri për t’u përforcuar. Megjithëse ishim të zhgënjyer që pamë Robin Van Persi të largohej nga klubi, ne kemi hedhur hapa para duke siguruar lojtarët tanë më të mirë për të ardhmen dhe aktualisht kemi rinovuar me Uilshair, Uollkot, Gibs, Ramsi, Oksleid-Çambërlein dhe Xhenkinson. Për më tepër, kemi shpenzuar 40.9 milion paund në blerjen e lojtarëve të rinj si Podolski, Kazorla, Zhirud e së fundmi Monreal. Me rregulloret e reja të fair-play financiar në Angli, Arsenali vetëm do të përforcohet në të ardhmen”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 25 February 2013 18:25