Arsenali ka bërë të qartë se mund të nënshkruajë pa probleme me Uejn Runin pasi ka financa të mjaftueshme për t’i paguar lojtarit një rrogë prej më shumë se 200 mijë paund në javë, si dhe të paguajë një shifër prej 25 milion paund për ta blerë nga Mançester Junajtid.
Shefi i klubit, Ivan Gazidis, bëri të qartë se do të ishte në dorën e trajnerit Arsen Venger të vendoste nëse duhej hyrë në merkato për sulmuesin anglez apo jo. Ky i fundit, falë sponsorizimeve të reja, do të ketë në dispozicion 70 milion paund për blerje të reja në çdo sezon.
“Nuk di të them se sa mund të jetë pagesa që duhet bërë për Runin. Por unë flas për një shifër prej 70 milion paund në dispozicion të merkatos, ndaj besoj se mund ta përballojmë pa probleme. Mund të sigurojmë edhe më shumë se kaq”, tha Gazidis.
“Tani po shohim rritjen graduale të fuqisë tonë financiare, pjesërisht në këtë sezon dhe më shumë në ato në vijim. Kjo do të thotë se mund të shpenzojmë më shumë për transferime dhe rroga. Tani kemi më shumë opsione sesa ato që kishim më përpara me financat tona. Mund të jemi në gjendje që të konkurrojmë në një nivel me Bajern Mynih, edhe pse kuptohet që nuk jemi ende në atë pikë”, tha shefi i klubit londinez. (LajmeShqip.com)
Friday, 07 June 2013 08:08