Mikael Balak, ish-futbollisti i përfaqësues gjermane, ka përfunduar në telashe me drejtësinë spanjolle pasi është arrestuar një natë më parë. Sipas shtypit spanjoll, ish-mesfushori që i dha lamtumirën futbollit të luajtur në fillimin e këtij muaji, po “fluturonte” me makinën e tij.
Polica rrugore në zonën e Kaceres, ka zbuluar nëpërmjet autoveloks se si vetura e nisur nga gjermani po udhëtonte me 211 kilometra në orë në autostradën e Esktremadura, në një zonë ku shpejtësia e lejuar ishte vetëm 120 kilometra në orë.
Menjëherë policia rrugore e ka ndaluar atë duke e arrestuar dhe duke e detyruar të dalë para gjykatës, ku do të përgjigjet për akuzën e “krimit ndaj sigurisë rrugore”.
Për ish-kapitenin e Gjermanisë parashikohet jo vetëm një gjobë e majme, por mundësisht edhe disa ditë burg, të cilat do të shlyhen nëpërmjet punës sociale, ose thjesht pjesëmarrjes falas në fushatat e sigurisë rrugore në Spanjë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 18 October 2012 12:13