Vendimi i trajnerit Alehandro Sabella për të aktivizuar 4 sulmues në ndeshjen Argjentinë-Ekuador, ka rezultuar i duhur pasi skuadra e tij fitoi 4-0 duke shfaqur një futboll spektakolar për t’u ngjitur në kreun e grupit të Amerikës Latine në eliminatoret e Brazil 2014.
Serxho Aguero, Gonzalo Higuain, Lionel Mesi dhe Angel Di Maria shënuan të gjithë në këtë fitore, duke dhuruar një shfaqje të jashtëzakonshme në stadiumin “Monumental” të Buenos Aires. Kuptohet që ylli ka qenë Lionel Mesi, i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në këtë sfidë, ndërsa ka shfaqur formën e tij më të mirë edhe për kombëtaren, duke udhëhequr fazën ofensive të ekipit.
“Ne duhet të jemi një skuadër e fortë, e strukturuar mirë në mbrojtje, që t’i japim mundësinë Lionel që të shprehë të gjithë aftësitë e tij”, ishte komenti i trajnerit Sabella pas përfundimit të ndeshjes.
Tani Argjentina kryeson grupin e Amerikës Latine me 10 pikë në 5 ndeshje, një pikë më shumë se Kili që mundi 2-0 Bolivinë në La Paz dhe 2 pikë më shumë se Uruguai dhe Venezuela që barazuan 1-1 në takimin e tyre në Montevideo. (LajmeShqip.com)
Sunday, 03 June 2012 08:40