Kryetari i Komisionit të Apelit në FSHF, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Arben Rakipi, ka dhënë dorëheqjen nga ky post pas polemikave të ashpra me Komitetin Ekzekutiv dhe drejtuesit më të lartë të institucionit që drejton futbollin shqiptar.
Shkak janë bërë ndryshimet e vendimeve për dënimet e dhëna në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu-Flamurtari, ku Komisioni i Apelit u ka falur vlonjatëve dënimin prej -3 pikësh, si dhe ka përgjysmuar pezullimin për fushën e Pogradecit.
Ja përmbajtja e plotë e letrës që Arben Rakipi i ka dërguar Komiteti Ekzekutiv, ku ndër të tjera, akuzon hapur për shitje ndeshje, gjykime të njëanshme e mungesë kulture dhe edukate nga drejtuesit e futbollit shqiptar:
“Drejtuar Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së
Zotërinj !
Nëpërmjet shtypit të ditës së djeshme, datë 29.02.2012, jam vënë në dijeni në lidhje me një qëndrim tuajin, nën cilësinë e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, që merr përsipër të analizojë e vlerësojë njëkohësisht vendimet e marra nga Komisioni i Apelit në mbledhjen e tij të fundit.
Pa pasur asnjë dyshim të arsyeshëm rreth aftësive tuaja për të lexuar nëpër përmbajtjen e vendimit të shkruar nga unë, fakti i reagimit tepër agresiv ende pa rënë në kontakt me vendimin, më sjell ndër mend të qëndroj në alternativën se ju nuk ju duhet të lexoni vendimin e shkruar, ngaqë keni frikë se mos bindeni për vërtetësinë e përmbajtjes së tij dhe zhvlerësohet qëllimi i deklaratës.
Që në fillim të këtij reagimi çmoj të rëndësishme t’ju bëj të qartë faktin se unë, për efekt reciprociteti, distancohem nga kjo deklaratë, si për shkak të mungesës së qartësisë ligjore dhe mungesës së autoritetit profesional të deklaratëshkruesve në raport me Komisionin që unë drejtoj, ashtu edhe për shkak të gjuhës së helmët të përdorur, plot standarde shpifëse e të pamoralshme. Po ashtu, asgjë e thënë atje në lidhje me pathemelësinë e vendimeve tona, nuk është e vërtetë.
Thënë me një fjalë, në opinionin tim, deklarata është në përputhje të plotë me edukatën e dhunës së injektuar për t’u përdorur në stadiumet tona prej vitesh të tëra, me ndeshjet e trukuara që piketojnë fituesit e aktiviteteve ende pa filluar ai, me gjykimet e manipuluara që dukshëm konstatohen në ndeshjet e kampionatit tonë, edhe përgjatë trajtimit të shkeljeve, e denjë për edukatën qytetare të dhunuesve dhe manipuluesve, që forcërisht bëjnë ligjin në fushat e futbollit.
Unë nuk jam mësuar të përdor gjuhë e zakone të tilla, prandaj përsëris se distancohem prej nivelit të saj.
Përgjatë kohës së ushtrimit të detyrës si Komisioner i Apelit të Futbollit, për rreth afro 6 muaj, kam ushtruar kompetencat e dhëna nga Ligjet Sportive apo të Futbollit, në përputhje me çfarë është parashikuar në to si dhe me pavarësi e mosndikim të plotë. Kërkush nuk ka tentuar apo të jetë afruar tek unë për të ndikuar në vendimmarrjen e Komisionit që kam drejtuar.
Unë kam besuar se puna e bërë në Komisionin e Apelit do të ndikonte në mënyrë modeste në përmirësimin e klimës sportive në vend, në trajtimin e barabartë të subjekteve anëtare të FSHF-së, në eliminimin e monopoleve dhe riaktivizimin e konkurrencës së ndershme sportive, ashtu siç unë jam mësuar ta ushtroj e mbështes sportin ndër vite.
Unë kam qenë i ndërgjegjshëm që të vë në shërbim të sportit nderin, autoritetin profesional, imazhin qytetar dhe akumulimin dhjetëravjeçar që kam formuar përgjatë jetës, edhe në shërbim të sportit. Me sportin mua më lidhin dekada.
Këto kanë qenë motivet dhe arsyet e pranimit prej meje të ftesës që ju më keni bërë për të drejtuar Komisionin e Apelit. Përherë kam ditur se nga ambienti antisportiv që ka mbështjellë sportin shqiptar, emri dhe imazhi im publik do të kishin kosto, të cilat i kam pranuar për shkak të kontributit që kërkova të dhuroj dhe për të gjithë ato arsye që përmenda më lart.
Këtë qëndrim dhe devocion kam konstatuar të qenësishëm edhe te kolegët e mi, anëtarë të Komisionit të Apelit.
Pas njohjes me deklaratën tuaj, përtej çudisë që vjen prej nxitimit të publikimit të saj ende pa lexuar përmbajtjen e vendimeve tona, përtej pavërtetësisë, edukatës së ulët dhe mosmirënjohjes shembullore që e karakterizon atë, e shoh përmbajtjen e saj në raport me vendimet tona dhe konstatoj që mospërputhja e qëllimeve të ushtrimit të detyrave përkatëse janë evidente. Unë nuk kam as formimin, vullnetin e dëshirën të ndjek qëllimet tuaja e të vazhdoj të gjendem pjesë e strukturave që ju keni ngritur.
Për rrjedhojë, kuptoni që nuk do të gjendem më në atë derë.
Krejtësisht pa konsideratë,
Arben Rakipi
Tiranë, 01.03.2012
P.S: Ky reagim është personal dhe nuk përmbledh mendimet apo qëndrimet e anëtarëve të tjerë të Komisionit të Apelit”.
(LajmeShqip.com)
Friday, 02 March 2012 23:35