Alvaro Arbeloa ka mbetur nga të paktët futbollistë të Real Madrid që vazhdon të mbrojë Zhoze Murinjon dhe të flasë pozitivisht rreth tij. Mbrojtësi ka bërë të qartë se vazhdon të mendojë të njëjtat gjëra që tha në momentin kur mësoi se Murinjo do të largohej nga madrilenët në fund të sezonit.
“Kur fola për Murinjon, e bëra sepse e ndjeja një gjë të tillë, jo sepse po mendoja të largohesha nga Real Madrid. Shpesh duket si sakrilegj të flasësh mire për Murinjon, por unë e kam bërë një gjë të tillë duke u bazuar te eksperienca që përfitova gjatë tre viteve duke punuar çdo ditë përkrah tij”, tha mbrojtësi spanjoll.
“Në atë intervistë kam folur për veten, nuk kam lëshuar nënkuptime për askënd tjetër. Dhashë veten time si shembull dhe nuk fola për shokët e skuadrës”, tha ai duke iu referuar polemikave që lindën më pas.
“Jam kritikuar aq shumë sa nuk ia keni idenë, por kam ndërgjegjen të pastër dhe nuk e ndjej veten tradhtar. Probleme me Kazijas? Marrëdhënia jonë nuk është më si më parë, por do të vijë dita që ajo do të rregullohet përsëri. Do të vijë një moment kur gjërat do të sqarohen. Por është e padrejtë që në këtë mes të përfshihet emri i Murinjos, kjo është çështje mes ne të dyve”, shpjegoi mbrojtësi i kombëtares spanjolle. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 18 June 2013 13:59