Alvaro Arbeloa ka hedhur poshtë pretendimet e Rafael Benitez se Zhoze Murinjo ka dëmtuar reputacionin e Real Madrid. Trajneri aktual i Napolit mendon se me emërimin e Karlo Ançelotit, madrilenët do të rikthenin vlerat e humbura gjatë tre viteve të turbullta nën drejtimin e Murinjos. Por Arbeloa mendon se këto deklarata janë vetëm një armë për të dëmtuar më shumë klubin spanjoll.
“Mendoj se kjo çështja e vlerave të klubit është përdorur si një armë kundër Real Madrid. Me raste është përdorur me shumë kujdes nga kundërshtarët. Unë ndjej se gjëja më e rëndësishme është se skuadra ka dhënë gjithçka në fushë sa herë që ka luajtur. Nëse sheh gjithçka që Murinjo ka thënë gjatë qëndrimit te Reali, i sheh këto vlera në fjalët e tij, pasi mbizotëron dëshira për të fituar duke dhënë gjithçka në mënyrë që të mbrohet stema e Realit”, tha futbollisti, ndër të paktët që mbron vazhdimisht Murinjon.
“Kur kalon tre vite te një klub si Real Madrid, jo gjithmonë merr vendimin e duhur. Ne të gjithë bëjmë gabime, unë i bëj çdo ditë. Kur je trajneri i Real Madrid dhe duhet të marrësh vendime të mëdha, ke prirje që disa prej tyre t’i bësh të gabuara. Jam i sigurt se Murinjo bëri gabime, por i ka bërë ato me bindjen se po bënte më të mirën për skuadrën dhe jo me qëllime negative”, deklaroi Arbeloa. (LajmeShqip.com)
Saturday, 29 June 2013 10:42