Luis Aragones, trajneri që ndryshoi mentalitetin e futbollit spanjoll duke nisur ciklin e tij fitues në Euro 2008, ka kundërshtuar mendimin e një prej lojtarëve të tij të preferuar, Ksavi Hernandez, rreth faktit nëse Zhoze Murinjo do të bëhej pjesë e historisë së futbollit apo jo.
“Mua më duket një triumfues i futbollit total dhe mendoj se do të hyjë në histori pasi askush nuk fiton më shumë se ai dhe ajo që ne trajnerët duhet të bëjmë është thjesht të fitojmë”, tha ish-trajneri i Spanjës, i cili mendon se ka gjetur edhe pasardhësin e tij ideal.
“Diego Simeone është i ngjashëm me Murinjon. Ai ka shumë pak kohë si trajner por po bën gjëra të rëndësishme. Nëse klubi që ai drejton do të vazhdojë në këtë rrugë, do të hyjë në garë për të fituar tituj edhe në Spanjë”, ishte parashikimi i Aragones, i cili pranon se e ka të vështirë të thotë se kush është futbollisti më i mirë në botë për momentin mes Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo.
“Mesi është shumë i mirë dhe loja e tij është shumë e bukur, por Ronaldo është një lojtar i jashtëzakonshëm. Nuk kam ditur kurrë të them se kush është më i miri mes këtyre dy futbollistëve”, shpjegoi Aragones. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 17 October 2012 15:25