Shefi i bordit ekzekutiv të Anzhi Makhashkala, Konstantin Remçukov, ka hedhur poshtë zërat që flitnin për një transferim të mundshëm të Devid Bekam te klubi rus, duke i quajtur këto spekulime si krejtësisht “të palogjikshme”.
Ish-kapiteni i Anglisë tashmë është në orbitën e shumë klubeve pasi i dha fund eksperiencës së tij 6-vjeçare te LA Galaksi në kampionatin amerikan. Por Remçukov dha një opinion publik pikërisht për të bërë të qartë se klubi i pasur rus as që nuk e kishte marrë në konsideratë afrimin e këtij lojtari.
“Lajmi mbi interesimin e Anzhi për Bekam është krejtësisht jashtë çdo logjike. Një ide e tillë as që nuk na ka shkuar ndonjëherë në mendje”, shkroi ai në adresën e tij në Tëitter.
Bekam mendohet se shumë shpejt do të zgjedhë të ardhmen e tij në atë që mendohet të jetë eksperienca e fundit në futbollin e luajtur. Lojtarit i mjafton vetëm të zgjedhë kontinentin ku dëshiron të shprehë talentin e tij pasi për të ka interesim nga klube në të gjitha kontinentet, pasi të gjithë duan të shfrytëzojnë maksimalisht edhe “makinerinë e marketingut” që shoqëron zakonisht yllin anglez. (LajmeShqip.com)
Saturday, 12 January 2013 09:42