Anzhi Makhashkala ka filluar të tregojë interes për blerjen e mesfushorit të Mançester Sitit, Jaja Ture, i cili duket se është shumë pranë largimit nga klubi anglez. Klubi rus është gati të bëjë lëvizjen e vet sapo të marrë dritën e gjelbër se futbollisti ka vendosur përfundimisht të largohet nga klubi i tij.
Menaxheri i 29 vjeçarit, Dimitri Seluk, ka caktuar ditën e sotme si atë të fundit për arritjen e një marrëveshje mes lojtarit dhe klubit anglez. Ture përfiton 220 mijë paund në javë në kontratën e tij me Mançester Sitin, ndërsa ka një marrëveshje që zgjat edhe për dy vite të tjera. Ai është shprehur gjithmonë se është i gatshëm të vazhdojë të qëndrojë në klub, por bisedimet për rinovimin kanë ngecur në vendnumëro prej më shumë se një viti.
Drejtuesit e Mançester Sitit janë të bindur se mund t’i ndryshojnë mendjen futbollistit dhe ta bëjnë të qëndrojë në radhët e klubit, por gjithsesi nuk u ka pëlqyer koha në të cilën këto pretendime kanë dalë në skenë, pasi gjenden përballë një gjysmëfinaleje të Kupës FA dhe një pjese vendimtare të sezonit, ku biseda të tilla mund ta dëmtojnë skuadrën.
Për futbollistin flitet se ka interesim edhe nga Çelsi dhe Real Madrid, por këto klube nuk mund të luftojnë kurrsesi me forcën ekonomike të Anzhi Makhashkala i cili aktualisht ka luksin të shpenzojë 20 milion euro në vit për rrogën e Samuel Eto’o. (LajmeShqip.com)
Saturday, 23 March 2013 09:35