Fabio Kapelo mund të bëhet shumë shpejt trajneri i Anzhi në Rusi pasi ky klub po i bën gati vendin duke larguar trajnerin aktual, Juri Krasnozhan.
“Klubi po kalon një fazë riorganizimi. Drejtori i përgjithshëm është larguar me një marrëveshje të përbashkët. Për trajnerin do të mblidhemi dhe të diskutojmë të hënën”, deklaroi për mediat ruse zëvendëspresidenti i Anzhi, German Çistiakov.
Por gjithçka duket e vendosur pasi Krasnozhan erdhi në dhjetor të Anzhi dhe po largohet pa patur mundësi të drejtojë ekipin që ka në pronësi multimiliarderi Suleiman Kerimov.
Sipas mediave vendase, ky i fundit ka arritur të bindë prej kohësh Fabio Kapelon të marrë drejtimin e skuadrës dhe të ndërtojë një klub për të dominuar në Rusi dhe Evropë, falë një rroge që pritet të kalojë 10 milionë eurot në sezon. Gjatë vizitës së Kapelos në Moskë në muajin nëntor, thuhet të ketë patur një takim mes palëve, ku ndërmjetës ka qenë ish-mbrojtësi i Real Madrid, Roberto Karlos, që këtë javë do të emërohet drejtor i përgjithshëm i Anzhi.
Por trajneri italian, që në atë periudhë kishte ende një kontratë me Anglinë, mohoi çdo zë. “Erdha në Moskë të shoh baletin e teatrit “Bolshoi”, jo për të folur për futboll”, ishte komenti i tij asokohe.
Por mediat janë të sigurt se ky i fundi ka një akord me Anzhi, të cilin do ta firmosë brenda javës. Ai ka bërë një listë “dëshirash” për drejtuesit e skuadrës të cilët janë gati të shpenzojnë shifra marramendëse për blerjen e futbollistëve. Emri më i mundshëm është ai i holandezit Shnajder, i cili do të bashkohej me ish-shokun e skuadrës te Inter, Samuel Eto’o. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 February 2012 12:32