Grupi anarkist i piratëve informatikë, “Anonymous”, po kërcënon me një tjetër sulm në Formula 1 gjatë Çmimi të Madh të Kanadasë që zhvillohet me 10 qershor, në mbështetje të studentëve që protestojnë në Kebek. Ata kanë kërcënuar se mund të jenë në gjendje që të vjedhin të dhënat e kartave të kreditit të spektatorëve nëpërmjet serverëve të F1.
Kjo organizatë piratësh informatikë arriti me sukses të shkatërronte faqen zyrtare të internetit të Formula Një gjatë Çmimit të Madh të Bahrein që u zhvillua muajin e kaluar. Sulmi që mbante emrin “Operacioni Bahrein”, u bë për shkak të asaj që “Anonymous” e cilësoi si “abuzimi i pabesueshëm ndaj të drejtave të njeriut nga regjimi i Bahrein”.
Në këtë rast, piratët informatikë po mbështetin studentët e Kebek që kanë shprehur pakënaqësi ndaj qeverisë së Kanadasë për rritjen e pagesave të shkollimit, ndërsa protesta e tyre ka hyrë në ditën e 107-të. “Anonymous” mendojnë se shteti kanadez po shkel të drejtat e njeriut me atë që quhet “Neni 78” dhe kufizon të drejtën e protestës apo grumbullimeve në Kebek pa miratimin e policisë. Ky grup piratësh informatikë ka mbyllur me sukses faqet e internetit të policisë dhe qeverisë vendore që prej miratimit të këtij ligji që ka sjellë mbi 2500 arrestime studentësh.
“Ashtu siç bëmë në Bahrein, “Anonymous” ka ndër mend të shkatërrojë festën e vogël të z. Ekleston. Duke filluar nga data 7 qershor, deri ditën e garës me 10 qershor, “Anonymous” do të nxjerrë jashtë përdorimi faqet e internetit të Formula 1, do të shkatërrojë servera dhe arkiva, duke prishur çdo gjë të F1 që gjendet në internet. Duam t’u kujtojmë të gjithë atyre që marrin pjesë në këtë garë se herën e kaluar, arritëm të gjenim të dhënat personale të spektatorëve në serverët e F1, përfshirë edhe kartat e kreditit”.
“Ju rekomandojmë të mos blini bileta dhe të bojkotoni këtë garë në Montreal. Jeni të paralajmëruar”, shkruhet në deklaratën e publikuar nga ky grupim piratësh informatikë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 May 2012 11:40