Një debat mes pronarëve të skuadrës së Shangai Shenhua mund të sjellë largimin e Didier Drogba dhe Nikolas Anelka nga radhët e kësaj skuadre.
Presidenti Zhu Jun, i cili kontrollon 28.5% të klubit, ka bërë të ditur se do të përballojë vetëm pjesën e tij të shpenzimeve ditore nëse nuk plotësohen kërkesat e tij për më shumë kontroll në këtë klub. Ai kontrollon Shangai Shenhua bashkë me 5 kompani shtetërore dhe në akordin e firmosur, thuhej se nëse investonte 15 milion paund në dy vite, aksionet e tij do të arrinin në kuotën 70%, një marrëveshje e shkruar kur mori skuadrën në vitin 2007.
Sipas mediave kineze, Zhu ka shpenzuar më shumë se 60 milion paund në këtë klub për 5 vitet e fundit, ndërsa kompanitë shtetërore nuk kanë shpenzuar asgjë, ndonëse kanë mbetur bashkëpronare të tij. Transferimi i premtuar i aksioneve në pronësi të Zhu nuk është realizuar, si në vitin 2009, ashtu edhe në vitin e kaluar, pavarësisht negociatave të vazhdueshme.
Nëse Zhu do të vendosë të paguajë vetëm 28.5% të shpenzimeve, klubi nuk do të ketë mundësinë të paguajë rrogat e Anelka dhe Drogba, të cilët përfitojnë rreth 1 milion paund në muaj.
Situata bëhet më dëshpëruese duke parë se lufta mes pronarëve ka sjellë edhe një rënie të ndjeshme të ekipit në renditjen e kampionatit, ku mban vendin e 10-të me 27 pikë në 23 ndeshje, 20 pikë larg Guangzhou Evergrande që kryeson klasifikimin. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 28 August 2012 14:10