Juventus po tregohet skuadra më aktive në merkato mes ekipeve italiane dhe pasi ka siguruar firmën e Fernando Lorente, po bëhet gati të sjellë një tjetër emër të rëndësishëm në repartin e avancuar. Bëhet fjalë për Nikolas Anelka, i cili sipas mediave italiane ka arritur një akord parimor me bardhezinjtë dhe pret vetëm lejen nga FIFA për t’u aktivizuar me Juventusin pasi ka dëshirën të ndërpresë marrëveshjen ekzistuese me klubin e Shangai Shenhua.
Sipas asaj që raporton “La Gazzetta Dello Sport”, Marota dhe Paratiçi kanë folur personalisht me sulmuesin francez, i cili po stërvitet gjatë këtyre ditëve me PSZH për të qëndruar në formë sa më të mirë. Meqenëse atje gjendet Karlo Ançeloti, ata nuk kanë ngurruar t’i kërkojnë një mendim edhe trajnerit italian, i cili ka konfirmuar se Anelka është në një formë të mirë.
Meqë çështja e transferimit të tij mund të mbyllet shumë shpejt, bardhezinjtë kanë lënë përkohësisht në pritje objektivin tjetër të merkatos, sulmuesin Lisandro Lopez të Olimpik Lion, me të cilin deri një ditë më parë dukej se ishte arritur akordi dhe pritej vetëm zyrtarizmi i marrëveshjes. Akordi me klubin francez për sulmuesin argjentinas është për një huazim deri në fundin e sezonit me të drejte blerje, por tashmë gjithçka varet si nga mbërritja e Anelka, ashtu edhe nga largimi i mundshëm i Matri apo Kualjarela drejt Fiorentinës. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 January 2013 17:58