Duket se shumë prej futbollistëve më të njohur në botë po marrin në konsideratë idenë e transferimit në Paris, ose të paktën kështu tregon trajneri i PSZH, Karlo Ançeoti.
Në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport”, ai ka treguar se celulari i tij nuk pushon nga telefonatat e menaxherëve që i propozojnë emra lojtarësh të famshëm.
“Tani të gjithë duan të vijnë këtu, celulari im nuk pushon nga telefonatat e menaxherëve. Më kanë propozuar lojtarë për të cilët nuk dyshoni aspak, njerëz të cilët pak kohë më parë kanë firmosur kontrata spektakolare. Por tani të gjithë duan të vijnë këtu, pasi ka shumë para, është Paris dhe është një trajner me famë”, tregoi Ançeloti.
Sipas tij, historia e transferimit të Patos nuk ka përfunduar ende, ndërsa ka treguar edhe emrat e disa futbollistëve që i janë propozuar për t’u transferuar gjatë merkatos së janarit.
“Historia e Patos është shumë e çuditshme, ka diçka që ne nuk e dimë. Por do të shohim si do të shkojë më vonë pasi për janar nuk është më një çështje për diskutim. Tevez? Përveç tij, menaxherët më ofrojnë Torres, Berbatov, Pavliuçenko, Kavani apo Lorente”.
“E vërteta është se puna e menaxherëve është bërë aq e ngatërruar sa brenda javës mund të rindërtosh pa problem skuadrën nga e para. Por mua nuk më pëlqen kjo mënyrë pune: qendërsulmuesi im quhet Gameiro dhe do të ketë mundësinë të shfaqet në lartësinë e duhur në përputhje me ambiciet e klubit. Megjithatë, nuk e mbyll derën për një qendërsulmues tjetër”, deklaroi Ançeloti. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 January 2012 12:14