Trajneri i PSZH, Karlo Ançeloti, pretendon se është e pamundur që klubi i tij të blejë sulmuesin e Mançester Junajtid, Uejn Runi. Ndonëse ka pasur spekulime se 27 vjeçari do të largohet nga klubi anglez gjatë verës, trajneri i parisienëve nuk e sheh që një gjë e tillë të ndodhë realisht.
“Uejn Runi është një prej sulmuesve më të mirë në botë. Mendoj se është e pamundur që PSZH ta blejë atë. Ai është një idhull te Mançester Junajtid”, u shpreh trajneri italian i parisienëve.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe drejtori sportiv, Leonardo, i cili njëkohësisht i ka hapur rrugën tentativave për të blerë futbollistë të njohur francezë.
“Nuk kemi bërë asnjëherë një ofertë për Kristiano Ronaldon. Por nuk kam dëgjuar asnjë gjë për Runin apo Kavanin gjithashtu. Nuk përjashtoj mundësinë e blerjeve të mëdha, por vetëm nëse shfaqet rasti i duhur. Më pëlqen ideja që të sjell këtu lojtarë të mëdhenj francezë. Nuk po flas detyrimisht për Benzema, por ndoshta për Nasri, Riberi apo Kabaje. Por nuk di të them nëse është e arritshme dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me ta”, shpjegoi drejtuesi i PSZH. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 April 2013 18:39