Karlo Ançeloti ka shtuar spekulimet mbi të ardhmen e sulmuesit brazilian Pato, duke deklaruar se futbollisti i Milan plotësonte kriteret e kërkuara nga një përforcim i mundshëm i PSZH.
Transferimi një vit më parë i lojtarit në Paris dështoi edhe pse PSZH bëri një ofertë prej 35 milionë euro, ndërsa tani është vetë futbollisti që kërkon të largohet nga Italia, pasi është kthyer në një lojtar stoli.
“Pato nuk më ka telefonuar. Nuk është miku im dhe ai thjesht ishte një prej lojtarëve që stërvita te Milani. Por Pato ka profilin e lojtarit që mund të luajë për PSZH. Ai është një golashënues fantastik, por ne nuk mund të blejmë të gjithë sulmuesit e botës. Kemi lojtarë shumë të mirë për atë pozicion si Menez, Laveci dhe Ibrahimoviç”, deklaroi trajneri pas fitores 4-0 ndaj Trua të shtunën.
Golat e 200 dhe 201 në kampionate si profesionist të Ibrahimoviç dhe ato të Matuidi e Maksuell i mjaftuan skuadrës parisiene t’i jepnin fund një serie prej 3 ndeshesh pa fitore në kampionatin francez.
“Ne luajtëm me inteligjencë. Nuk deshëm të shpenzonim shumë energji. Udhëtuam në Ukrainë të mërkurën dhe u desh të riaftësoheshim. Strategjia jonë sulmuese u ekzekutua mirë. Në pjesën e dytë gjetëm hapësira dhe përfituam prej tyre”, ishte komenti i trajnerit për këtë ndeshje. (LajmeShqip.com)
Sunday, 25 November 2012 10:50