Karlo Ançeloti ka bërë të qartë se dëshiron të shkojë te Real Madrid, ndonëse ka një kontratë ekzistuese me PSZH dhe për momentin është i detyruar ta respektojë atë. Në konferencën e fundit për shtyp të këtij sezoni me ekipin parisien, trajneri italian nuk ka fshehur aspak dëshirën e tij për t’u larguar, ndonëse te klubi aktual ai është kthyer në një prej trajnerëve më të paguar në botë.
“Leonardo e di që dëshira ime është të largohem. Kjo nuk është një zgjedhje e bërë për para, por një zgjedhje personale. I kemi dhënë vetes disa ditë kohë për të menduar se si do të shkojë kjo situatë”, tha trajneri, i cili nuk përmendi emra klubesh, por është e qartë se e kishte fjalën për Real Madrid.
Megjithatë, ai nuk do të largohet si armik nga parisienët, me të cilët ka një kontratë deri në vitin 2014 dhe është i detyruar të respektojë kushtet e saj.
“Nëse dy klubet nuk arrijnë një akord mes tyre, unë do të qëndroj te PSZH”, ishte mesazhi i qartë i Ançelotit, që ka nxituar në këtë mënyrë Real Madrid të vazhdojë ofensivën për të siguruar një leje nga parisienët për të marrë teknikun italian. Megjithatë, Florentino Perez duket se nuk ka ndër mend të paguajë 7-8 milion euro dëmshpërblim për të marrë trajnerin italian dhe si rrjedhojë ka bërë të qartë se do të firmosë me të vetëm kur të vijë me “parametër zero”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 May 2013 17:53