Mungon vetëm zyrtarizmi por Karlo Ançeloti duket se është trajneri i ardhshëm i Paris Sent Zhërmen. Tekniku që ka drejtuar më parë me sukses skuadra si Juventus, Milan dhe Çelsi, do të firmosë këtë javë kontratën e tij të re me ekipin parisien, ndërsa ka vendosur të kalojë edhe pushimet e Krishtlindjeve në kryeqytetin francez bashkë me familjen e tij.
Në faqen e internetit të gazetës “Le Parisien”, është bërë e ditur se trajneri italian është tashmë në Paris dhe se ka zgjedhur të kalojë në Eurodisnei pushimet e tij të Krishtlindjeve bashkë më familjen. Mediat franceze kanë konfirmuar se ai po qëndron në një prej hoteleve më luksozë të Marn-la-Vale, zona e hotelerisë në Eurodisnei.
Vetëm gjatë javës në vazhdim ai do të nënshkruajë kontratën e tij të re, pasi ka rënë parimisht dakord me Leonardon, i cili është drejtori i përgjithshëm i ekipit parisien dhe “sponsor” kryesor i trajnerit italian. Afrimi i Ançelotit do të ndihmojë PSZH të rekrutojë emra të njohur të futbollit për të përforcuar këtë ekip duke synuar titullin kampion dhe një paraqitje dinjitoze në Ligën e Kampioneve gjatë sezonit të ardhshëm.
Pas Tevez, Borrielo dhe Drogba, një emër tjetër që po lakohet fuqimisht nga mediat ndërkombëtare është ai i Kaka, i cili shpërtheu si futbollist pikërisht nën drejtimin e Ançelotit në radhët e Milanit. Një rikthim nën drejtimin e trajnerit italian mund ta ndihmonte yllin brazilian 29 vjeçar të rifitonte shkëlqimin e tij, të humbur që prej transferimit te Reali i Madridit dy sezone më parë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 25 December 2011 19:10