Problemet e fundit mes Romës dhe De Rosit kanë bërë që PSZH të hyjë menjëherë në skenë dhe të përpiqet të përfitojë nga kjo situatë për të marrë mesfushorin e kombëtares italiane. Këtë fakt e ka pranuar trajneri Karlo Ançeloti, i cili i ka hapur dyert lojtarit që është zënë më trajnerin Zeman dhe sipas mediave italiane po mendon një largim të mundshëm.
“De Rosi është një mesfushor i madh dhe është normale që flitet për interesimin e PSZH rreth tij, pasi për momentin, klubi ynë është ndër të paktët që mund të shpenzojë. Ai nuk luajti kundër Atalantës por mendoj se ishte një vendim i momentit. De Rosi është një mesfushor i shkëlqyer por mua më rezulton që në këto momente merkato është e mbyllur, ndoshta mund të flitet në janar”, ishte batuta e tij që si zakonisht do të përhapë më tepër spekulimet e merkatos.
Tekniku italian ka folur edhe për Ibrahimoviç dhe fjalët e këtij të fundit për një rikthim të mundshëm te Milani.
“Ai është një profesionist shumë serioz dhe tani po sillet mjaft mirë. Është normale që një person që ka qenë te Milani, të flasë mirë për këtë klub, pasi aty të jepet mundësia të shprehesh në maksimum. Ibra bëri një deklaratë ku tha se është ndjerë mirë, të njëjtën gjë mund ta them edhe unë pa probleme”.
“Por pastaj siç ndodh shpesh, fjalët transformohen dhe thuhet se Ibrahimoviç dëshiron të kthehet. Unë për vete mendoj se Ibrahimoviç është shumë i lumtur që është këtu, pasi ka një projekt të rëndësishëm, por të ardhmes nuk i dihet kurrë”, tha trajneri italian. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 October 2012 16:01