Nëse Uejn Runi dëshiron të largohet nga Mançester Junajtid, atëherë Karlo Ançeloti do ta presë krahëhapur te Real Madrid. Sipas mediave angleze, ashtu si edhe nga kompanitë më të mëdha të basteve sportive në këtë vend, Runi është blerja më e mundshme e Realit në repartin e avancuar për sezonin e ardhshëm.
Sipas “Daily Mail”, vetë preferenca e Runit është t’i bashkohet Zhoze Murinjos te Çelsi, por Mançester Junajtid as që ka ndër mend të ndihmoj rivalët direkt dhe do ta lejojë atë të largohet vetëm nëse zgjedh një skuadër jashtë Anglisë, me Reali që mban vendin e parë mes preferencave.
Kuptohet se Reali ka fuqinë financiare për të përballuar 30 milion paund që mendohet se kushton kartoni i Runit. Ançeloti, sapo të marrë detyrën në stolin e ekipit spanjoll, do të ketë detyrën e vështirë të zgjedhë se cilin do të kthejë në objektiv kryesor të merkatos së klubit, pasi përveç Runit, madrilenët po ndjekin me vëmendje edhe Edinson Kavani, Garet Beil dhe Serxhio Aguero.
Mendohet se Runi do të takojë fillimisht trajnerin e ri të Mançester Junajtid, Devid Mojes, për të folur për të ardhmen, por ka shumë pak gjasa që ai të ndryshojë mendje dhe të vazhdojë të qëndrojë në radhët e kësaj skuadre. (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 June 2013 13:43