Trajneri i Paris Sent Zhërmen, Karlo Ançeloti, mendon se Devid Bekam do të zgjatë edhe një tjetër vit qëndrimin e tij në radhët e kësaj skuadre, të cilës iu bashkua në fund të muajit janar. Ndonëse mendohej se ishte në fundin e karrierës së tij, anglezi ka treguar se është në formë të mirë dhe ka merituar mjaft vlerësime për paraqitjet e deritanishme.
“Mendoj se Bekam do të qëndrojë këtu. Ai ka humbur shpejtësinë, por është përmirësuar taktikisht. Ai gjithmonë tregon sjelljen e duhur dhe nuk është më aq i ri, por vazhdon të luajë në moshën 38 vjeçare. Ai është shumë profesional, përqendrohet në punë e tij dhe ka çfarë të të ofrojë si futbollist në këto nivele”, deklaroi Ançeloti.
Vetë tekniku italian vazhdon të jetë i pasigurt rreth të ardhmes së tij dhe nëse do të qëndrojë apo jo në klubin që pritet të shpallet kampion në Francë.
“Po hezitoj ende, nuk jam i sigurt. Nuk ka ndonjë lajm të ri. Sezoni nuk ka përfunduar dhe unë duhet të flas me klubin vetëm në fund. Ka shumë zëra që qarkullojnë por asgjë e re nuk ka ndodhur realisht”, tha ai duke iu referuar zërave që e shohin të transferohet në Spanjë, për të marrë drejtimin e Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Sunday, 12 May 2013 11:08