Të jesh një lojtar i famshëm që fiton miliona euro në vit, në disa raste shoqërohet me ngjarje aspak të këndshme. Mjafton të pyesësh sulmuesin brazilian Hulk, i cili dje ka mësuar se persona të armatosur kanë rrëmbyer motrën e tij 22 vjeçare, me qëllim përfitimin financiar nëpërmjet dëmshpërblimit për lirimin e saj.
Ngjarja ka ndodhur dje në drekë në vendlindjen e lojtarit, në qytetin e Kampina Grande, para një restoranti në zonën e jugut. Sipas asaj që raporton shtypi lokal, Anxhelika Aparecida Vieira, është futur me dhunë në një furgon nga persona të maskuar dhe të armatosur që e pritnin në dalje të një restoranti, por ende nuk ka patur asnjë kontakt mes familjarëve me këta rrëmbyes.
Megjithatë, pritet që shumë shpejt ata të telefonojnë në familje dhe të bëjnë të ditur kërkesën ekonomike, të ndërgjegjshëm që sulmuesit brazilian nuk i mungojnë paratë falë kontratës së majme prej 8 milion euro në vit që përfiton nga Zenit Shën Petersburg. Mendohet që futbollisti është nisur vetë me urgjencë drejt Brazilit, pasi dëmtimi që ka marrë do ta lërë jashtë fushave të lojës për të paktën dy javë e kësisoj ka vendosur të shkojë vetë në vendlindje për të parë nga afër situatën.
Rrëmbimi i motrës së Hulk nuk është i pari që përfshin familjarë të futbollistëve të njohur brazilianë, në një vend ku rrëmbimet e personave janë shumë të shpeshta. Historiku i rrëmbimeve të familjarëve përfshin babanë e Romario, nënën e Grafite, nënën e Roxherio, nënën e Robinjo, nënën e Luis Fabiano dhe motrën e Rikardo Oliveira. Në të gjitha rastet, pas pagesës së dëmshpërblimit, personat e marrë peng janë liruar. Rasti më i bujshëm ka qenë ai i rrëmbimit të nënës së Robinjo, e cila mbeti në duart e keqbërësve për 41 ditë në vitin 2004, para se të bëhej dorëzimi i shumës së parave nga sulmuesi, që në atë periudhë mendohet se ka paguar rreth gjysmë milioni dollarë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 November 2012 14:52