Dani Alvesh, ndonëse rival në fushën e lojës ndaj Zhoze Murinjos, mendon se largimi i tij nga Spanja do të jetë një humbje. Por mbrojtësi i Barcelonës gjithashtu është i bindur se mungesën e tij do ta ndjejnë më shumë gazetarët spanjollë sesa futbollistët në fushën e lojës.
“Murinjo e përjeton futbollin në mënyrë shumë intensive dhe nuk i pëlqen të humbasë. Lamtumira e tij është një humbje. Por mendoj se më shumë do të humbasë shtypi spanjoll sesa ne, pasi ai dhuronte tituj për faqet e para të gazetave”, u shpreh futbollisti.
“Nuk mendoj se Murinjo ka qenë një plagë për futbollin spanjoll. Ai është një person shumë konkurrues dhe pjesërisht identifikoj veten në mënyrën sesi kërkon fitoren, por jo në shumë gjëra të tjera”, tha ai.
Sipas Alvesh, Murinjo nuk ka mundur të fitojë më shumë tituj me Real Madrid në këto vite pasi përballë kishte “një nga skuadrat më të rëndësishme të historisë” të Barcelonës.
“Nuk është vlerësuar siç duhej vlerësuar. Ndoshta për shkak të respektit që imponon, por duhet ta dini se përballë kishte një prej skuadrave më të mira të historisë së Barcelonës. Nuk ka mundësi që të jesh i mirë kur fiton e të mos jesh sapo humbet”, ishin fjalët e mbrojtësit që çuditërisht po mbron shumë portugezin, me të cilin gjatë këtyre viteve ka pasur shpesh polemika në distancë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 23 May 2013 19:13