Altin Lala ka përshëndetur sot për herë të fundit tifozët e skuadrës së Hanover, pasi i ka dhënë lamtumirën kësaj skuadre pas 14 viteve të suksesshme. Futbollisti ka nënshkruar një kontratë me Bajern Mynih, ku do të luajë me skuadrën e rezervave në sezonin e ardhshëm, për të ndihmuar lojtarët e akademisë të përshtaten me kërkesa e elitës së futbollit gjerman.
Në ndeshjen e fundit të këtij sezoni në Bundesligë, Lala ka qenë i ulur në stolin e rezervave, por në minutën e 84-t, trajneri Slomka e ka aktivizuar atë nën brohoritjet e 49 mijë tifozëve të pranishëm, të cilët kanë përshëndetur aktivizimin për herë të 296-të në kampionatin gjerman të mesfushorit i cili për shumë vite ka qenë kapiten i kësaj skuadre.
Në përfundimin e ndeshjes, mes brohoritjeve dhe fishekzjarrëve, të gjithë lojtarët e Hanover kanë festuar me ish-kapitenin e përfaqësueses shqiptare duke veshur një fanellë me fytyrën e tij, ndërsa ky i fundit, i emocionuar ka bërë xhiron e nderit rreth stadiumit.
Në fund, i përlotur, ai është gjunjëzuar në fushë dhe ka puthur fushën që ka shkelur për shumë vite me radhë dhe ku është kthyer në një idhull të tifozerisë.
Përveç vlerësimit të tifozëve, Lalën e ka pritur edhe një surprizë nga klubi i Hanover, që i ka dhuruar atij një makinë Volkswagen Bulli, të dekoruar me stemën e klubit.
Megjithatë, eksperienca e tij te Hanover duket se nuk është mbyllur, pasi në përfundimin e sezonit që do të aktivizohet me ekipin e dytë të Bajern Mynih, Lala pritet të kthehet te ky klub për të marrë një rol në akademi apo në bordin drejtues. (LajmeShqip.com)
Saturday, 05 May 2012 20:13