Trajneri i Uest Hem, Sem Allardais, ka mbrojtur Roman Abramoviç dhe vendimin e këtij të fundit për të shkarkuar nga puna Roberto Di Mateon. Tekniku 58 vjeçar beson se meqë miliarderi rus po shpenzon paratë e tij, ai ka të gjitha të drejtat të veprojë si e mendon më të drejtë.
Vendimi për të shkarkuar nga detyra Roberto Di Mateon dhe për emëruar Rafael Benitez si trajner ka qenë shumë anti-popullor, pasi tifozët e urrejnë spanjollin, ndërsa cilësojnë si hero italianin që u dha Ligën e Kampioneve.
“Roman është pronari i Çelsit dhe ka çdo të drejtë në këtë botë për të bërë atë që do, pasi po shpenzon shuma të mëdha për skuadrën. Ai ka qenë një avokat i shkëlqyer për ne dhe arsye pse kampionati anglez është kthyer një markë kaq të njohur në të gjithë botën, për shkak të këtyre parave që ka investuar te ne”, tha Allardais që mundi në fundjavë pikërisht Çelsin me rezultatin 3-1.
“Si trajner, duhet të përshtatesh me atë që kërkon pronari dhe duhet të realizosh kërkesat e tij. Mendoj se në këto momente atyre u mungon Xhon Terri, u mungon një lider në fushë. Mjafton të shohësh sasinë e parave që kanë shpenzuar për blerje në këtë sezon dhe e kupton cilësinë e madhe që kanë në dispozicion”, u shpreh trajneri i Uest Hem. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 04 December 2012 13:51