Sër Aleks Ferguson është shfaqur në mënyrë të papritur të shtunë në darkë në shkallët e stadiumit “Stad Dë Zherland” për të ndjekur takimin Olimpik Lion-Lilë 2-1. Mendohet se ai zgjodhi këtë vizitë surprizë për të parë nga afër talentin e Lilë, mesfushorin belg Eden Hazard.
21 vjeçari është përmendur si objektiv i mundshëm i merkatos së shumë klubeve evropiane, përfshirë Çelsin, Arsenal, Real Madrid dhe Barcelonën, ndërsa kësaj liste duket se do t’i shtohet dhe Mançester Junajtid.
“Lojtari i Vitit” në sezonin e kaluar në Francë, ka thënë shpesh se preferon Anglinë për të vazhduar karrierën e tij, ndërsa ka lënë të kuptohet se do t’i interesonte më shumë një ekip si Totenhem ku do të kishte mundësi të aktivizohej në çdo ndeshje, sesa një skuadër ku do të kalonte shumë kohë në stolin e rezervave.
I pyetur pas ndeshjes rreth pranisë së Ferguson në tribunë dhe faktit që kamerat e fokusuan trajnerin duke gogësitur që në pjesën e parë kur Lioni shënoi golin e dytë, Hazard është përgjigjur me humor. “Të them të drejtën nuk e dija se ishte këtu në stadium. Gogësima? Me sa duket është lodhur nga rruga!”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 11 March 2012 10:32