Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, ka treguar se ai do të bëjë tifo për Interin gjatë ndeshjes së këtyre të fundit ndaj Olimpikut të Marsejës në Ligën e Kampioneve. Zikaltërit duhet të përmbysin humbjen me një gol diferencë të pësuar në ndeshjen e parë në “Velodrom” nëse duan që të kalojnë mes 8 skuadrave më të mira të këtij turneu.
Pavarësisht rivalitetit të ndezur mes dy ekipeve të Milanos, Alegri ka bërë të qartë se do të bëjë tifo për kundërshtarët historikë vetëm për faktin se ata mbeten përfaqësues të Italisë në arenën ndërkombëtare.
“Inter ka një shans të mirë për të kaluar dhe gjithkush në Itali duhet të bëjë tifo për të. Në kompeticionet evropiane duhet të mbështetim skuadrat italiane dhe kjo është ajo që do të bëj edhe unë”, tregoi trajneri i Milanit për “Sky Sport Italia”.
Ndërkohë, ai ka treguar se pas eksperiencës me Milanin, nuk do të drejtojë skuadra të tjera në Itali, por ëndërron të drejtojë ekipe jashtë saj.
“Pas drejtimit të Milanit, pjesa më e madhe e klubeve do të ishin një hap prapa në karrierë. Megjithatë, unë kam filluar të mësoj anglisht prej rreth një viti, pasi të punoja në Angli do të ishte zgjedhja ime e parë, pastaj Spanja”, ka treguar trajneri italian. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 March 2012 12:20