Masimiliano Alegri po mundohet ta përjetojë me optimizëm sfidën e Ligës së Kampioneve përballë Barcelonës, skuadër e cila aktualisht cilësohet nga opinioni publik si më e mira në qarkullim.
Kuqezinjtë u eliminuan në sezonin e kaluar në çerekfinale nga katalanasit, ndërsa tani nuk përballen në të njëjtat kushte, pasi Milani ka filluar procesin e rinovimit dhe nuk ka më shumë emra të njohur, duke u bazuar te të rinjtë premtues.
“Kemi përpara skuadrën më të fortë në botë. Gjithsesi, do të provojmë të kalojmë turin, duke shpresuar që të jemi më me fat sesa vitin e kaluar”, ishte deklarata e shkurtër e trajnerit italian pas hedhjes së shortit.
Nga ana tjetër, katalanasit e presin me padurim këtë sfidë, që është një nga klasiket e futbollit evropian për klube. Komenti më i shpejtë ka qenë ai i Cesk Fabregas, nëpërmjet rrjetit social “Twitter”. “Do të luajmë kundër Milanit! Do të jetë një sfidë fantastike!”.
I të njëjtit mendim është edhe kapiteni i katalanasve, Karles Pujol, i cili ka folur në konferencë për shtyp rreth kësaj ndeshje. “Jam shumë i lumtur, pasi nuk do të jetë një sfidë e lehtë, përkundrazi. Jam i lumtur pasi Milan është një skuadër që më ka pëlqyer gjithmonë dhe më ka pëlqyer gjithashtu të luaj në stadiumin e tyre. Ata kanë një stadium të pabesueshëm dhe jam i sigurt se do të jetë një sfidë fantastike”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Thursday, 20 December 2012 17:58