Masimiliano Alegri do të jetë trajneri i Milanit edhe për dy vite të tjera. Tekniku i kuqezinjve ka rinovuar kontratën e tij që skadonte në mbyllje të sezonit, duke e zgjatur atë deri në fundin e qershorit 2014.
Trajneri, i ulur në stolin e kësaj skuadre një vit e gjysmë më parë, ka bindur drejtuesit e ekipit të cilët i kanë vënë përpara kontratën e re, të kënaqur me punën që ka bërë. Kuqezinjtë fituan titullin kampion në Itali në sezonin e kaluar dhe janë kandidatë për të ripërsëritur suksesin, pa harruar që janë ende në garë në Ligën e Kampioneve.
Nga ana tjetër, Alegri ka përfituar rritjen e ndjeshme të kontratës ekzistuese, duke përfituar tashmë diçka më shumë se 2.5 milionë euro në sezon. Prandaj ai ka shfrytëzuar rastin e parë që i është shfaqur për të falënderuar drejtuesit e klubit.
“Jam shumë i lumtur që mu dha mundësia të punoj edhe dy vite të tjera te Milan. Falënderoj presidentin Berluskoni dhe administratorin Galiani për besimin. Mendoj se ekzistojnë të gjitha kushtet që të vazhdohet të punohet në bazat e hedhura në një vit e gjysmë”, ishin fjalët e tij të para pas rinovimit të kontratës.
Natyrshëm, Alegri është pyetur për objektivat afatshkurtër, si derbi i fundjavës, ashtu edhe për ata afatgjatë. “Objektivi është të zhvillojmë një derbi të bukur dhe të arrijmë në fund të sezonit duke kërkuar të fitojmë titullin kampion, duke kërkuar të bëjmë gjëra të mëdha në Ligën e Kampioneve dhe duke ecur para në Kupën e Italisë”, u shpreh Alegri. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 January 2012 21:29