Ndeshja mes Milanit dhe Juventusit është vendosur nga goli i Robinjos me penallti në minutën e 31-të të kësaj sfide, por pamjet televizive kanë treguar se kjo penallti nuk ekzistonte dhe se Isla nuk kishte prekur topin me dorë në atë moment.
Një fakt të tillë e ka pranuar me shumë sportivitet edhe trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri pas kësaj ndeshje ku ka vlerësuar provën që ka dhënë skuadra ndaj kampionëve të Italisë.
“Mendoj se skuadra ka bërë një punë të shkëlqyer ndaj Juventusit, një ekipi që po bën gjëra të jashtëzakonshme. Fakti që i kemi lejuar vetëm një rast kundërshtarit tregon shumë për cilësinë e shfaqur nga ekipi ynë. Penalltia? Nga fusha dukej si penallti, nga pamjet televizive nuk është kështu”, pranoi trajneri i kuqezinjve.
Nga ana tjetër, zëvendësi i Antonio Konte, Anxhelo Alesio, e ka komentuar me ironi këtë episod të ndeshjes duke u kujtuar të gjithëve se polemikat me të cilat përballet Juventusi çdo javë nuk janë të drejta.
“Nuk guxoj të imagjinoj se çfarë mund të kishte ndodhur nëse do të jepej një penallti e tillë në favorin tonë”, ishin fjalët e tij pas ndeshjes, mendim i ndarë edhe nga drejtori sportiv i juventinëve, Bepe Marota.
“Nga kjo ndeshje mund të nxjerrim disa koncepte të rëndësishme, sidomos faktin se në fund të vitit kompensohen favoret dhe dëmet. Kjo ishte një ndeshje për 0-0, po të mos ishte kjo penallti, për të cilën pamjet televizive tregojnë se nuk ekzistonte”. (LajmeShqip.com)
Monday, 26 November 2012 10:15