Fitorja me Zenitin ka kthyer entuziazmin te Milani dhe sidomos te trajneri Masimiliano Alegri që është i bindur se ajo është fryt i punës së vazhdueshme dhe mundësisë për të punuar në vazhdimësi me grupin e lojtarëve që ka tani në dispozicion.
“Kemi luajtur shumë mirë në 20 minutat e para, kur ishim padronë të fushës. Pastaj djemtë u treguan të zotë të rezistonin, të kërkonin suksesin. Ka qenë një fitore e bukur, por ky grup do të zgjidhet vetëm në ndeshjen e fundit. A shërben kjo ndeshje për të dalë nga kriza? Janë gazetat që thonë se ne jemi në krizë, por kjo nuk është e vërtetë, ndaj kjo fitore nuk shërben për të dalë nga asnjë situatë”.
“Të dielën e ka radhën derbi, ku shkojmë pas një fitoreje të bukur. Me Interin do të jetë një ndeshje e bukur por edhe e çuditshme për situatën që kalojnë të dy skuadrat. Por ne do ta luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha trajneri i kuqezinjve.
Ndërkohë, administratori i Milanit, Adriano Galiani, i ka thurur elozhe Stefan El Sharauit, heroi të ri të kuqezinjve që po shënon gola spektakolar me një vazhdimësi të pabesueshme.
“Skuadra po rritet, me Kaljarin pësuam rritje në lojë, me Parmën meritonim fitoren dhe këtë radhë fituam. Po kthehemi përsëri Milani i zakonshëm. El Sharaui ka shënuar 7 gola në 9 ndeshje, ky është viti i tij”, tha Galiani, i cili ka zbuluar edhe një tjetër sekret të vogël. “I çova Ibrahimoviç urimet e datëlindjes nëpërmjet PSZH, pasi mua nuk më flet më”, tha ai për sulmuesin që shiti gjatë merkatos së verës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 04 October 2012 10:01