Nuk ka rotacion për Milanin në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Italisë kundër Juventus. Trajneri Alegri ka vendosur që të përdorë skuadrën më të mirë të mundshme për këtë sfidë të rëndësishme duke kthyer mes titullarëve Zlatan Ibrahimoviç dhe Tiago Silva.
Ndonëse një ditë më parë ishte vetë Alegri që deklaronte se dy futbollistët do të qëndronin pushim pasi ekipin e priste një periudhë shumë e ngjeshur me ndeshje, sot në mëngjes të dy lojtarët i janë bashkuar skuadrës për të udhëtuar drejt Torinos.
Juventus ka ende avantazhin e fitores 2-1 në fushën e kuqezinjve të ndeshjes së parë e për të përmbysur këtë rezultat, Alegrit i duhen futbollistët më të mirë në fushë. Ndërkohë, vetë sulmuesi kishte deklaruar dje se dëshironte të zbriste në fushë kundër Juventus, për t’u hakmarrë edhe për polemikat e ndeshjes së parë kur në fund të takimit u akuzua se goditi me shpullë Storarin.
Si rrjedhojë, sonte ai do të jetë në fushë si lider i sulmit kuqezi, përkrah El Sharaui, ndërsa Emanuelson do të luajë si organizator pas krahëve të tyre. Të vetmet ndryshime të rëndësishme do të jenë në portë ku luan Amelia, ndërsa në mesfushë do të shihet treshja Akuilani-Muntari-Noçerino. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 20 March 2012 14:11