Masimiliano Alegri është i sigurt se ai do të vazhdojë të jetë trajneri i Milanit edhe në të ardhmen, pasi edhe presidenti Silvio Berluskoni i beson plotësisht atij.
“Me Berluskonin kam një raport të mirë, më ka thënë që të mos mendoj për atë që thuhet rreth e rrotull. Unë ndjehem mirë të Milani. Puna ime këtu sapo ka filluar”, tha ai duke lënë të kuptohet se do të vazhdojë për një kohë të gjatë te kuqezinjtë.
Sipas tij, lufta për titull me Juventusin duhet të vazhdojë, ndonëse bardhezinjtë janë favoritë në këtë garë. “Jemi ende në garë për titullin kampion, ndonëse mundësitë janë reduktuar. Duhet të fitojmë kundër Atalantës për të mos i dhënë sigurinë matematike të titullit kampion Juventusit”.
Trajneri i Milan mendon se skuadra e tij ka bërë një sezon pozitiv. “Kemi mbërritur në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe tani jemi në garë për titullin kampion. Sigurisht që shpresoja që Juventusi të mos fitonte në Novara, ashtu siç shpresoj që të mos bëjë pikë me Leçen. Ne thjesht duhet të fitojmë pasi në rast se gabojnë, duhet të shkojmë t’i kapim”, tha trajneri i Milanit. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 April 2012 17:35