Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, e ka marrë me humor faktin se konferenca për shtyp para ndeshjes ndaj Sienës në Serinë A mund e jetë e fundit që ai bën si trajner i kuqezinjve.
“Sigurisht që e këtij kampionati është”, ishte batuta e trajnerit pa dhënë asnjë sinjal mbi të ardhmen e tij dhe zërave që e shohin atë gjithnjë e më shumë drejt një pankine tjetër, asaj të Romës. “Por nuk ka kuptim të flasim tani për të ardhmen”.
“Nuk di nëse presidenti e ka thënë me të vërtetë atë frazën rreth kalimit tim te Roma. Nëse e ka thënë, shpresoj të ketë bërë rolin e menaxherit tim dhe të më ketë siguruar edhe një kontratë të mirë. T’i lëmë shakatë, me presidentin kam një raport të mirë. Por mund t’ju them se nuk kam vendosur ende me çfarë formacioni do të luaj nesër, e jo më se çfarë do të bëj vitin e ardhshëm”, deklaroi trajneri i Milanit, i cili është i sigurt se skuadra e tij duhet të bëjë maksimumin kundër Sienës për të siguruar vendin e tretë në kampionat.
“Në lojë është diçka shumë e rëndësishme. Të gjithë duam që të kemi mundësinë të luajmë në kualifikueset e Ligës së Kampioneve në sezonin e ardhshëm”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Saturday, 18 May 2013 17:06