Masimiliano Alegri ka vendosur që ndeshja e fundit e Milanit për këtë sezon të jetë një lloj nderimi për të gjithë veteranët që do të largohen nga kjo skuadër pasi kanë dhënë për shumë vite kontributin e tyre.
“Në ndeshjen e fundit të sezonit do të luajnë titullarë Gatuzo dhe Sedorf në mesfushë. Inzagi do të ketë në dispozicion disa minuta në fund të ndeshjes, ndërsa Nesta do të ulet me ne në pankinë”, ka treguar trajneri i kuqezinjve i cili ka pranuar se kjo ndeshje do të jetë një festë.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë nga ana emocionale, në “San Siro” do të jetë një festë e madhe për këta kampionë të mëdhenj që kanë shkruar historinë e këtij klubi. Të dielën mbyllet sezoni por edhe një cikël. Ne duhet të nisim gjithçka nga e para, duke punuar shumë, ndërsa klubi do të ndërtojë një ekip konkurrues për të luftuar në të gjitha drejtimet”, tha ai.
Përforcimi i parë dihet nga të gjithë, ish-mesfushori i Fiorentinës, Rikardo Montolivo. “Në sezonin e ardhshëm do të kemi Montolivon, që është një lojtar shumë i aftë, me shumë teknikë. Ndaj Milani do të jetë konkurrues edhe në vitin e ardhshëm”, tha ai.
Në fund edhe një batutë ndaj rivalëve të Interit, të cilët kanë festuar gjatë fitoren në derbi që i hoqi mundësinë e titullit kampion kuqezinjve. “Kur je poshtë në klasifikim, me 2-3 rezultate pozitive gjithçka të duket e shkëlqyer”, ishte ironia e Alegrit ndaj zikaltërve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 13 May 2012 10:47