Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, i ka idetë e qarta se kjo javë do të jetë shumë vendimtare për kuqezinjtë. Por ai nuk fsheh ambiciet kur tregon se skuadra do të përqendrohet maksimalisht në objektivat e mbetur, duke i marrë me radhë, fillimisht kampionatin e pastaj Ligën e Kampioneve.
“Ne arritëm shumë pranë finales së Kupës së Italisë, jemi ne çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe kryesojmë kampionatin falë një rikuperimi të jashtëzakonshëm”.
“Tani nuk është koha të ulim ritmin, ky është një kampionat i vështirë dhe ndiqemi nga një skuadër që është shumë e motivuar dhe vrapon për të na kapur. Por unë dua që vitin tjetër të luajmë për yllin e dytë në fanellë”, u shpreh Alegri, i bindur që skuadra e tij do të fitojë trofeun e 19-të këtë sezon dhe do të jetë në garë për të 20-in në sezonin 2012-2013.
Kuqezinjtë kanë një ndeshje të vështirë këtë fundjavë, atë kundër Romës së Luis Enrikes, ndërsa Juventusi ndjekës përballet në sfidën klasike me Interin. “Duhet të mendojmë për ndeshjen tonë dhe për të siguruar një fitore, në mënyrë që të garantojmë një avantazh prej 4 pikësh pavarësisht rezultatit të Juve-Inter”.
“Por kampionati nuk mbyllet nesër. Jemi në disavantazh në ndeshjet direkte e për këtë arsye duhet të qëndrojmë një pikë para gjithmonë. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, ashtu siç treguam në Kupë ku shkuam me ambicien e duhur”, deklaroi trajneri i Milanit. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 March 2012 18:18