Masimiliano Alegri, trajneri i Milanit, mendon se ndërhyrja e Silvio Berluskonit ka qenë vendimtare për skuadrën që arriti të marrë një barazim shumë të mirë 2-2 në fushën e Napolit.
“Presidenti është një person me shumë temperament, është shumë i përgjegjshëm dhe besoj se vizita e tij në Milanelo ishte shumë e rëndësishme për të gjithë djemtë. Ai nuk më ka premtuar asgjë për merkaton, kjo është një skuadër e re që ka nevojë të rritet”, tha Alegri pas përfundimit të ndeshjes.
“Nuk kemi folur as për objektiva. Ai tha që zakonisht duhen 2-3 sezone për të rindërtuar një ekip fitues dhe ne duhet të tregohemi të aftë për të shkurtuar në maksimum këtë periudhë. Duhet eksperiencë, ne jemi një skuadër e re. Berluskoni, që është presidenti më fitimtar në historinë e futbollit botëror, e kupton një gjë të tillë”, shpjegoi Alegri që më pas iu kthye paraqitjes së skuadrës së tij, ndër më të mirat e këtij sezoni.
“Jam i lumtur për djemtë, pasi krijuam shuam raste, edhe pse kishim përsëri gabime që i paguam shtrenjtë. Klasifikimi është larg atij që mendonim, por shumë lojtarë janë të rinj dhe duhet të punojnë shumë”, shtoi ai. (LajmeShqip.com)
Sunday, 18 November 2012 12:32