Në kampionatin zviceran, ka shumë lojtarë shqiptarë, dhe njëri nga ta është edhe mbrojtësi gjakovar Alban Pnishi.
Betim Zeqiri
Tre muaj më parë ai iu ka bashkuar skuadrës së madhe zvicerane Grasshopper, nga Wohleni i Ligës së Dytë, dhe starti i tij në elitën e futbollit zviceran ka qenë fantastik.
Albani ka luajtur gjashtë ndeshje nga tetë sosht në Superligën e Zvicrës, ndërsa nuk i ka munguar as goli, ku shënoi javën e kaluar ndaj Luzernit.
Në një intervistë për Telegrafin, mbrojtësi qendror flet për aventurën e tij te Grasshopper, shqiptarët e shumtë në Zvicër, Përfaqësusen e Kosovës e cila e ka kontaktuar si dhe të ardhmen e tij.
“Aventura ime te Grasshopper, ka shkuar në mënyrë shumë të mirë në këtë fillim. Të them të drejtën e kam befasuar edhe vetën sa shumë kam luajtur, por kam punuar shumë dhe puna po shpaguhet”, thotë fillimisht Pnishi për Telegrafin.
“Kur kam ardhur nga Wohleni këtu, e kam ditur se kam ardhur në një skuadër të madhe dhe se duhet shumë punë. Niveli i Superligës së Zvicrës është shumë i madh dhe duhet të jetë lojtari i përqendruar 100% gjatë 90 minutave, pasi një gabim të kushton me pësimin e golit. Jam shumë i kënaqur me këtë fillim te GC”, tregon Pnishi.
Tutje mbrojtësi me prejardhje nga Gjakova, tregon se si ndihet kur pothuajse në çdo ndeshje ka përballë ndonjë lojtar shqiptar, si dhe për tre shokët tjerë shqiptarë te Grasshopperi, si Shani Tarashaj, Florian Kamberi dhe Mërgim Brahimi.
“Grasshopperi është skuadra me më së shumti lojtar shqiptarë në skuadër në elitën e futbollit zviceran. Jemi katër sosh dhe kalojmë shumë mirë si njëri me tjetrin ashtu edhe me shqiptarët tjerë në klube tjera”.
“Ka ndodhur që nganjëherë flasim edhe në fushë ndonjë fjalë shqip pasi na vije më lehtë. Kur të luajmë me skuadrat tjera ndihem shumë mirë pasi pothuajse secila ka shqiptarë në formacion. Është ndjenjë e mirë se sa shumë lojtarë shqiptarë luajnë në Zvicër dhe pothuajse të gjithë kanë suksese të mëdha”.
“Në ndeshje kemi duele mes vete, po pas përfundimit të ndeshjes qëndrojmë së bashku dhe bisedojmë për shumë gjëra. Në fushë jemi kundërshtarë por jashtë saj shokë shumë të mirë të gjithë”, tha Pnishi, të cilin e ka kontaktuar edhe Përfaqësuesja e Kosovës.
“Kam pasur kontakte me Kosovën. Trajneri Albert Bunjaku më ka kontaktuar dhe kemi biseduar gjërë e gjatë. Ai më ka treguar planet që ka me Kosovën si dhe me mua”.
“Të them të drejtën unë jam i interesuar të luaj për vendin tim, por ta shohim sepse deri në tetor kamë ndeshje me Grasshopperin dhe së pari jam i fokusuar te klubi”.
“Unë jam i gatshëm për vendin tim nëse kërkohet ndihma ime. Do të ishte një ëndërr e realizuar për mua ta vesh fanellën e Kosovës, por ta shohim në tetor se çfarë do të ndodh”, deklaroi Pnishi për Telegrafin.
24-vjeçari vitin e kaluar ishte tek skuadra e Ligës së Dytë Zvicerane, Wohlen ku mbante edhe shiritin e kapitenit, ndërsa tani në elitën e futbollit zviceran llogaritët si ndër mbrojtësit më të mirë.
Wednesday, 23 September 2015 08:12